Shkëlqimi i familjes së madhe, Selim Mborja (Venxha)

Shkëlqimi i familjes së madhe, Selim Mborja (Venxha), bën dritë edhe sot

Si i shpëtoi Selim Mborja ekzekutimit nga njësiti gueril i Korçës

Nga Vepror Hasani

Mborja albania - selim mborja

Atë mbrëmje, Selim Mborja (Venxha) me bashkëshorten e tij, Fitreten, u kthyen vonë në shtëpi. Në Korçë kishin 65 dyqane, kafene dhe banesa, mijëra hektarë tokë dhe pyje. Fillimisht kishin banuar te shtëpia në fshatin Mborje, në krah të kishës së Ristozit, te një ndërtesë e madhe dykatëshe, me pamje madhështore, ndërtuar me gurë të skalitur, me shumë dhoma të dekoruara me elemente druri të gdhendur dhe tavane të zbukuruara, me oborr të madh në pamjen ballore e të thurura me avlli. Përreth kësaj shtëpie ngriheshin shtëpitë e tjera të fisit Mborja (Venxha), Më pas ndërtuan një shtëpi tjetër të madhe dhe të bukur mbi fabrikën e birra Korçës. Tashmë jetonin aty.

Me të hyrë në shtëpi vunë re se dikush poshtë derës u kishte hedhur një letër. Selim Mborja e mori dhe nisi ta lexonte. Vështrimi i tij lëvizi i shqetësuar nëpër rreshta: “Unë që po ju shkruaj jam një miku juaj, – thuhej në letër, – nuk pata guximin t’ju sqaroj nga afër sepse kam frikë për veten dhe familjen time, dhe për këtë ju kërkoj ndjesë, por para dy-tri ditësh mora vesh se njësiti gueril i Korçës ka marrë vendimin t’ju ekzekutojë, ndaj duhet të largoheni…”.

Bashkëshortja e Selimit, Fitretja, bijë e Neki Starovës, ndër më të pasurit e asaj zone, mbeti e shqetësuar. Trupi i saj dridhej si gjethe në erë. Priste çdo t’i thoshte Selim Mborja. Sido që të ishte vendimi i të shoqit, do të qëndronte me të edhe sikur të shkonin në fund të botës. E adhuronte bashkëshortin. Selimi ishte njeri i zoti dhe me kulturë, kishte studiuar në Perëndim. “Do ta pleqërojmë me njerëzit tanë”, – i tha Selim Mborja, – dhe do të vendosim çfarë duhet të bëjmë. Duhet të ketë qenë shtator-tetor i vitit 1944.

2                                                                                   

Selim Mborja (Venxha) nuk e besonte dot që do të largohej nga Korça dhe nga Mborja ku kishte lindur. Gjithë jeta e njerëzve të tij, brez pas brezi, i ishte përkushtuar Korçës, dhe sa herë e kishte sjellë rasti kishin dalë në mbrojtje të saj me jetën e tyre. I pari i Venxhave, quhej Banush; ishte një legjendë e gjallë bamirësie, të tillë e mbanin mend edhe më të vjetrit. Emri i tij i mirësisë mbërriti edhe te brezat e rinj. Deri në fund të shek. XVIII kishin jetuar në Greqi, kishin prona të shumta dhe ishin shumë të pasur. Me pasuri të madhe u vendosën edhe në në Mborje. Ndihmonin familjet e varfëra. Banushi kujdesej për ta si për familjen e vet: “Bëj mirë dhe mos e përmend kurrë të mirën që bën”, –  ishte porosia e tij, –  Zoti i shikon të gjitha.”. Për shkak të pasurisë së madhe që kishte, në Mborje njihej me emrin Banush Aga ose Banush Efendiu, por shpesh e thërrisnin edhe Banush Venxha, sepse kështu quhej vendi ku kishte jetuar në Greqi në zonën e Grevenasë.

Bamirësia e familjes së madhe Mborja (Venxha) nuk shteri kurrë. Banushi la pas 7 fëmijë: Mustafajin, Osmanin, Hysenin, Mehmetin, Saliun, Rexhepin dhe Islamin. Fal kësaj familjeje të madhe që shkëlqente me mirësitë e saj, fshati Mborje mori pamjen e një qyteti, me dyqane dhe kafene të famshme si në asnjë vend tjetër. Vinin aty edhe nga Korça; myslimanë e të krishterë festonin bashkë. Në një nga kronikat e kohës shkruhet: “Nuri Efendiu, avokati, javën që shkoi bëri synet djemtë. Në dasmë kishte ftuar gjithë nëpunësit e qeverisë dhe shumë myslimanë e të krishterë. Darkën e bëri në kafenetë që janë nga Mborja. Një shumicë e madhe të ftuarish, me këngë dhe me muzikat e vendit, u zbavitën gjer në mëngjes. Atë natë shumë fishekë u hodhën sipër në qiell dhe shumë pushkë u zbrazën.”. (Gazeta Korça, 11 qershor 1909).

3

Në mëngjes Selim Mborja shkoi te pazari i Korçës, te  klubi i “Pellallit” dhe  i la porosi pronarit të lokalit. Nëse vjen Qemali (djali i xhaxhait të Selim Mborjes), Mehmeti apo Syrjai (kushërinj të tij), sepse lokali ishte i preferuar i tyre, t’u thoshte që i kërkonte Selim Mborja dhe donte t’i takonte patjetër. Mehmet Mborja (Venxha) kishte mbaruar shkollën e policisë “Skuola Alleievi Carabinieri”, në Firencë të Italisë, dhe kishte njohuri mbi grupet e fshehta kriminale siç ishte njësiti gueril i Korçës. Në kryengritjen e ashtuquajtur të “Vorioepirit” më 2 prill 1914, sipas gazetës “Koha”, 15 maj 1914, Mehmet Mborja; komandanti i xhandarmërisë shqiptare, hollandezi Snellen Van Vallenhoven; Themistokli Gërmenji, konsulli i përgjithshëm amerikan Spenser, kapedan Kajo, Dervish File, Turhan Hysen bej Pirgu, Jashar bej Starova, Agush Çaushi e qindra të tjerë, luftuan trimërisht dhe ia dolën të çlironin Korçën.

Por Selimi donte me patjetër edhe mendimin e Qemalit dhe Syrjait, nëse duhej të qëndronte apo të largohej përfundimisht nga Korça. U takuan te shtëpia sipër fabrikës së birrës. Bashkëshortja e Selimit, Fitretja, ndoqi me shqetësim gjatë gjithë kohës bisedën e burrave. Rreziku u vlerësua real. Njësitet guerile kishin filluar të eleminonin njerëz që nuk i pëlqenin regjimit që po vinte në pushtet. Miku që u kishte shkruar letrën kishte të drejtë. Ekzekutimi i tij mund të ndodhte nga dita në ditë. U pa e arsyeshme që Selimi të largohej nga Korça sa më parë. Kur kushërinjtë e tij u larguan, Selim Mborja vështroi një çast nga e shoqja dhe i tha: “Do të largohemi!”. Nga syri i Fitretes u shkëput një pikë loti: “Do të vij me ty kudo që të shkosh”, i tha ajo. Dhimbja e fshehur e burrit përshkoi gjithë qenien e Selim Mborjes.

4

Selim MborjaSelim Mborja (Venxha) dhe bashkëshortja e tij, Fitreti, ende nuk e kishin vendosur ç’ditë do të largoheshin nga Korça. Për ta gjithçka ishte e padrejtë; vendimi i marrë nga njësiti gueril i Korçës ishte kriminal; po luhej me jetën e një familjeje të madhe patriotike. Babai i Selim Mborjes, Mustafaji, ishte kujdesur gjithnjë që edhe miqësitë t’i bënte me njerëz që e donin vendin. Në një rast të tillë shtypi shkruante: “Myftar Aga nga Sevrani, i cili më përpara ka qenë komandant i Xhandarmërisë së Korçës për të martuar të birë që pat zënë të bijën e Mustafa efendi Mborjes urdhëroi këtu bashkë me dhëndrin, zotin Kadri, i cili ka qenë kajmekan në Leskovik, në Tepelenë në Vlorë e gjetkë. Myftar Aga, si mori të renë, pardje u kthye për në Përmet. I urojmë me gaz dhe martonjësit u trashëgofshin!”. (Gazeta e Korçës, e enjte 22 vjesht’  e II-të).

Vetë Mustafa Mborja (Venxha) doli në mbrojtje të vendit që nga dita e parë e hyrjes së grekëve në Korçë më 7 dhjetor 1912. Ndihmoi kthimin e  njerëzve që ishin larguar për shkak të luftës.  Emri i tij gjendet i shënuar te “Komisioni i të ikurve”, renditur me emrat më të nderuar të qytetit të Korçës: “Komisioni përbëhej nga: kryetari Abdyl Ypi. Anëtarë: Riza bej Zavalani, Tefik Rushiti, Qani bej Dishnica, Stavre Karoli, Petraq Kondi, Kristo Dako, Sadik Voskopi dhe Mustafa Mborja.”. (Gazeta Koha, e shtunë, 24 maj 1914).

Kurse Abedin Mborja (Venxha), nipi u Mustafait ishte zgjedhur te “Komisioni i Marrëdhënieve”, i cili raportonte gjendjen te autoritetet vendase dhe të huaja. Anëtarë të këtij komisioni ishin: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi kryetari i Bashkisë; Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, ( ka dhe një emër tjetër, por nuk lexohet), Abidin efendi Tregtari, Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli dhe Andrea Turtulli.”. (Gazeta Koha e shtunë, 24 maj 1914).
Gjatë kësaj kohe, një i afërm tjetër i familjes Mborja, Ismail Sali Mborja, më 1914-1915, sponsorizoi botimin e abetares shqipe të hartuar nga Jashar Agjahu. Botimi i saj u bë nga shtypshkronja “Korça”.

5

Haki MborjaKurse  Haki Mborja (Venxha), djali i xhaxhait të Selim Mborjes shkëlqeu me patriotizmin e vet. Lindi në Mborje më 1876, mësimet e para i mori në Korçë e më pas në Manastir. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Stamboll, ku mori gradën më të lartë shkencore, atë të doktorit.

Në vitin 1908 u emërua mjek në Bashkinë e Manastirit, ku u njoh me shumë patriotë që synonin krijimin e lëvizjeje për çlirim kombëtar. Në shtator të vitit 1908 u bë pjesë e shoqërisë “Dituria” dhe  “Përparimi”. Pas dy vitesh erdhi mjek në Bashkinë e Korçës. Më 16 qershor 1911, bashkë me botuesin e gazetës “Korça”, Sami Pojani, u bënë iniciatorë të krijimit të Komitetit të Kryengritësve. Po atë muaj Haki Mborja krijoi çetën e parë shqiptare dhe doli maleve. Bashkëpunoi me Bajo Topullin, Qamil Panaritin, Shahin Kolonjën etj.

Çeta e tij u bë e njohur me luftimet e saj në Korçë, Devoll, Kolonjë, Opar, Gorë, Mokër, Gjirokastër dhe Elbasan. Përveç gazetave shqiptare për Haki Mborjen shkroi edhe gazeta londineze “Time”, kurse konsulli serb në Manastir i raportonte qeverisë së vet: “Në Korçë ka maleve mbi 500 vetë të prirë nga Haki Beu.”. Në gusht të vitit 1911 mori pjesë në Kuvendin e Kryengritësve të Elbasanit, organizuar në fshatin Shelcan për realizimin e veprimeve të përbashkëta. Më 1912 mori pjesë në shpalljen e Pavarsisë. Pas thyerjes së kryengritjes “Vorioepirote”, çeta e tij u bë mburoja e Korçës: territoret nga Guri i Cjapit deri te Grykat e Mborjes u bënë të pakapërcyeshme nga grekët. Që nga dita e krijimit të çetës së tij, Haki Mborja u quajt “Doktori kryengritës”.

Me ardhjen e francezëve, ndihmoi për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës dhe mori pjesë në qeverinë e saj. Gjatë kësaj kohë ndihmoi në hapjen e 60 shkollave në krahinën e Korçës, përfshi edhe shkollën e Mborjes. Gjatë  vitet 1918-1920 qëndroi në mbrojtje të kufijve jugorë të Shqipërisë, mbështeti fort Kongresin e Lushnjës dhe qeverinë e saj. Më 1926 u zgjodh deputet, mori vota më shumë se Fan S. Noli, por më 1928 u largua nga politika sepse mbretërinë e shihte si të parakohshme në një vend si Shqipëria. Vdiq në shtëpinë e tij në vitin 1931.

6

Selim Mborja dhe bashkëshortja e tij, Fitreti, vendosën të shkonin në Selanik, atje kishin prona dhe një hotel, mjetet financiare nuk u mungonin. Ndërsa bënin gati plaçkat, Fitretit nuk i mbaheshin lotët. Një ditë më parë ishte përcjellë me njerëzit e saj në Starovë të Pogradecit.  Tashmë nuk do t’i shihte më të afërmit e vet, edhe kur të vdiset nuk do t’i vinte askush ta qante te varri. Edhe përtej vdekjes do të mbetej e vetmuar. Bashkë me ta kërkoi të udhëtonte edhe Koço Kota. Nuk i thanë jo, të dyja familjet udhëtuan bashkë. Me të mbërritur në Selanik, Selim Mborja u vendos në hotelin e tij privat. Nata e parë larg Korçës ishte e dhimbshme. Njerëz që vrisnin prapa shpine dhe pa asnjë arsye, e kishin detyruar ta linin Korçën.

Ajo natë për Selim Mborjen mbeti nata më e vetmuar e jetës së tij. Në Korçë gjendej gjithnjë mes miqësh e shokësh. I pëlqente shoqëria edhe me profesorët e Liceut; takohej shpesh më ta: me Elmaz Ahmetin, Abaz Ermenjin, Fejzi Dobin,  Selman Rizën, Aqif Selfon,  Abedin Shkëmbin, Aldo Çobën, Malo Kodrën etj. Profesor në Lice kishte qenë edhe Enver Hoxha, por me të nuk kishin patur ndonjë shoqëri të madhe. Vetë Enver Hoxha te libri i tij, “Kur lindi Partia”, shkruan: “Fundot, me Vangjo Turtullin, me Manot, me Katrot e shumë të tjerë të këtij kalibri si edhe me ata të kalibrit më të ulët, ishin përfaqësuesit e borgjezisë së krishterë…

Kurse  Fazlli Frashëri, i vëllai Qazkës, Selim Mborja, Tefik Mborja, Rexhep Merdani e mjaft të tjerë si këta e më të ulët se këta, formonin opinionin e “elitës myslimane” korçare…”. Pra, nga sa shihet, miqësia e Hoxhës me parinë e Korçës nuk kishte ekzistuar. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ai kishte kërkuar ekzekutimin pa gjyq të Selim Mborjes. Tejet e trishtuar ndihej edhe Fitreti, gruaja që ishte kujdesur gjithnjë për jetimët dhe familjet e varfëra të Korçës. Nuk kishte ditë të shënuar që ajo të mos pyeste Selimin: “Çfarë do të dhurojmë sot për familjet e varfëra? Dhe bënte të pamundurën që ndihma e ofruar të ishte e vlefshme për të kapërcyer hallet. Ajo ishte vërtet një shenjtore.

7

Fitreti doli në verandë, donte ta largonte mërzinë që po e lodhte aq shumë. Selaniku ishte i bukur, shkëlqente nga të gjitha anët, por edhe Korça e bukur kishte qenë gjithnjë. Që nga viti 1850 e kishin krahasuar me Izmirin, por me qenë se Izmiri cilësohej si Parisi i Mesdheut, për analogji Korçën e quajtën Paris i Vogël. Edhe Korça kishte patur ndriçim vite e vite më parë. Më 1911 instaloi sitemin e ri të ndriçimit: “Qeveria tonë (e Korçës) solli për provë një llampë sistem “Radium” me 350 fuqi dritë qiriri. Llampa ka dritë të bukur dhe kështu së shpejti do të sjellin më shumë llampa të këtilla që të ndritin qytetin dhe rrugët e gjëra. Përgëzojmë z. Ahmet Efendinë, kryesonjësin e qeverisë si dhe gjithë këshillonjësit për përpjekjet që bëjnë për të zbukuruar qytetin…”.  (Gazeta Koha, 17 mars 1911).

Më pas qyteti u pajis me gjenerator, por pas largimit të francezëve në majt të viitit 1920, makineria e prodhimit të energjisë nuk funksionoi më. Gazetat e Korçës shkruanin gjithë ironi: “Korça një goxha qytet, natën është pa drita. Duket se drita u prish sytë korçarëve, të cilët janë mësuar kaq vite tani pa drita natën. Nuk na pëlqen që ta besojmë se Bashkia nuk përkujdeset për të ndritur Korçën natën. Dimë që makina elektrike që kishin francezët mbeti këtu, përse nuk përdoret?” (Gazeta e Korçës, 21 korrik 1920).

Megjithatë, edhe viti 1924 Korçën e gjeti pa drita. Më 1925, Bashkia shpalli kushtet e tenderit për elektrifikimin e Korçës. Në lojë ishin dy shoqëri: “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes dhe  “Manseman”, shoqëria gjermane. Oferta më e mirë u dha nga Selim Mborja. Më 18 shtator 1925 filloi ndërtimi i centralit elektrik. Në prill të vitit 1926, plotësoi një pjesë të nevojave për energji. Elektrifikimi i plotë i  Korçës u njoftua nga shtypi: “Që pardje, me një marrëveshje të kryetarit të Bashkisë, shoqëria “Xheneral Elektrik” zuri të japë dritë për tërë qytetin e jo si më parë që jepte gjer më një pas mesnate.”. (Gazeta Koha, 6 nëntor 1926).

Vetëm që qyteti i Korçës të kishte dritë, shoqëria “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes shpenzoi tej parashikimeve. Gazetat  shkruanin: “Shoqëria “Xheneral Elektrik” për të kënaqur gjithë klientët e saj nuk mori parasysh shpenzimet e rënda që i ngarkohen, sepse populli dhe klientët dëshironin dritë.”. (Gazeta Koha, 6 nëntor 1926).

Pranë stacionit elektrik u ndërtua edhe një mulli i fuqishëm bluarje. Më vonë në vitin 1936, “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes ndërtoi në Vithkuq hirocentralin e parë në Shqipëri.

8

MborjeSelim Mborja nuk i kursente lekët kur e shihte se ndihma e tij ishte e nevojshme. Pasuria e tij vlerësohej nga të gjitha bankat: “Agjenti i Bankës vjeneze mori vesh kur ishte në Selanik, se një person nga qyteti i Korçës zotëronte një sasi të konsiderueshme monedhash floriri. Ai quhej Selim Mborja. Erdhi e takoi në shtëpinë e tij. Selimi e mirëpriti propozimin e agjentit për t’i depozituar në atë bankë florinjtë, por me një kusht, që përqindja e interesit t’i paguhej duke llogaritur jo sasinë e monedhave, por peshën e tyre në kilogram. Sekseri, i habitur për këtë kërkesë të padëgjuar gjer atëherë në asnjë vend të botës, njoftoi Bankën e Vjenës, duke thënë se ky bej korçar nuk i kishte paratë me grushte, por me bidona teneqeje. Banka mblodhi këshillin për të vendosur. Të nesërmen, gazetat vjeneze dhanë lajmin sensacional: “Një pasanik shqiptar detyron Bankën e Vjenës t’i bëjë një shtesë rregullores së vet!”. (Vangjush Ziko, Korça, kujtime dhe qyteti).

Kjo ishte dhe arsyeja pse Selim Mborja gjatë gjithë kohës që qëndroi në Korçë, ose ishte anëtar, ose kryetar në të gjitha shoqëritë e krijuara, sepse gjithkush e dinte që ai nuk kursehej financiarisht; mbështetja e bashkëshortes nuk i mungoi kurrë; ajo ishte një shpirt i dhimbsur. Emri i Selim Mborjes gjendet në federatatën “Vatra e Shqipërisë” me qendër në Korçë, te “Kryqi i Kuq”, te  “Sport Klub Korça”  te komisioni për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e Liceut të Korçës, pasi fondi prej 50.000 franga nga buxheti i shtetit ishte i pamjaftueshëm, te “Shoqëria Cinematro”, te “Oda Ekonomike”, te  “Tenis klub Korça”, te shoqëria “Këneta e Maliqit” etj, etj. Në vitet 1921-22 botoi gazeten “Jetë e re”, së bashku me Fazlli Frashërin.

9

Të gjitha këto bashkëshortët Mborja, i kujtuan natën e parë të mbërritjes në Selanik. Në mëngjes Selim Mborja u takua me sportelistin e hotelit. I vuri përpara një monedhë ari dhe i tha: “Një monedhë të tillë do ta marrësh çdo mëngjes, por nëse në hotel vijnë njerëz dhe pyesin për mua, ti do do t’u thuash “Selimi sapo doli” dhe ndërkohë do të më njoftosh. Përpiqu të mbash mend ç’tipare kishte personi, si ishte veshur etj.”. Njësiti gueril i Korçës mund të vinte edhe aty, dhe Selimi kishte patur të drejtë.

Pas disa ditësh, dy persona pyetën nëse Selim Mborja ndodhej në hotel. Kishin arrestuar Koço Kotën dhe donin të merrnin me vete edhe Selim Mborjen. Makinën e kishin lënë diku afër hotelit. Operacioni sekret drejtohej nga Koçi Xoxe: “Selim Mborja, sapo doli,- u tha sportelisti, –  me të ardhur ai, vij unë te makina juaj dhe ju them.”. Ndërkaq vuri në dijeni Selim Mborjen. Sportelisti  bërë përshkrimin e personave. “Paska ardhur Nevzat Haznedari!”, tha Selim Mborja. Mori të shoqen dhe dolën nga dera e prapme e hotelit.

Do të shkonin në Stamboll.  Para se të largohej porositi sportelistin: “Pas 5 minutash, shko thuaji personave që Selim Mborja u nis për në portit, do të shkojë në Turqi.”. Me të mbërritur te anija, i kërkoi drejtuesit të mjetit të priste edhe 5 minuta pasi i duhej të takohej me dikë. Dhe sërish Selim Mborja kishte patur të drejtë. Pas 5 minutash mbërriti Nevzat Haznedari: “Desha t’ju takoj…”, – i tha ai. “Dëgjo ti këlysh i Xhemiles, – i tha Selim Mborja, – familjen tënde e kemi mbajtur me bukë, por dije se do të vijë një ditë që gjithkush do të pështyjë në fytyrë.”. Pas këtij shkëmbimi replikash, anija nisi lundrimin drejt Stambollit.

10

MborjeAtë çast ia desh shpirti të pinte një birra Korça. E kishte ndërtuar vetë atë fabrikë, bashkë me italianin Umberto Uberti. Projekti i fabrikës “Birra Korça” u hartua vitin 1928. Ndërtimi i saj nisi në tetor të vitit 1929, mbi një sipërfaqe prej 20,000 metra katrorë me vlerë 350,000 franga ari, pronë e Selim Mborjes. Ujin e sollën nga mali i Moravës, 8 km, larg prej fabrikës. Fabrika u pajis me makineritë më të mira të kohës.

Më 1931 filloi prodhimi. Regjistrimi i shoqërisë “Birra Korça” u bë në Odën Ekonomike të Korçës më 18 dhjetor 1933:  “Në bazë të shkresës nr. 2215 datë 18.12.1933 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, me anë të së cilës urdhërohet transkriptimi i kopjes së aktit konstitues të shoqërisë anonime “Birra Korça” në regjistrin e tregtisë konform nenit 11 të Kodit Tregtar në fuqi, vërtetohet se akti konstitues i shoqërisë anonime “Birra Korça” i omolguar prej Gjyqit Kolegjial të Korçës (dega tregtare) me vendim nr 1, datë 8 nëntor 1933, u transkriptua në radhorin e posaçëm të Odës së Tregtisë së Korçës me nr 1 datë 18 dhjetor 1933. Shoqëria, siç rezulton nga kontrata me datë redaktimi 1 prill 1933, fillon më 1 prill 1933 dhe mbaron më 31 dhjetor 1956. (Gazeta e Korçës 19 dhjetor 1933).

Inaugurimi u bë pas 6 muajve: “Të hënë, më 4 të këtij muaji, më ora 5.30 pasdreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” të shoqërisë Umberto-Mborja. Ishte ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan maqinerinë e fabrikës ku ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura. Birra Korça është me të vërtetë prej kaliteti më të mirë se shumë birra të huaja, dhe e njëjta më atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Z. Umberto Uberti dhe Selim Mborja pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2 për të vogla.”. (Gazeta e Korçës, e mërkurë 6 qershor 1934).

Shoqëria punësoi 220 shqiptarë dhe 25 specialistë italianë. Ndërsa për t’u ardhur në ndihmë fermerve ngritën dhoma frigoriferike për prodhimet e qumshit. Fabrika u bë e njohur edhe për prodhimin e ujit “Kristal”.

11

Ndërsa po udhëtonin me anije, e shoqja iu drejtua Selim Mborjes: Si thua, a do të vijë dita të kthehemi përsëri në Korçë? Do të na marrë malli për njerëzit tanë? Fitretja fliste me zë të dridhur. Ndoshta, – iu përgjigj Selim Mborja, por e rëndësishme është që ne bëmë gjithçka për qytetin tonë. Nëse kthehemi, ti si gjithnjë do të merresh me bamirësinë, atje ku gjen kënaqësi shpirti yt.”. Fitretes sërish i rrëshqiti një pikë loti. Të kujtohet, i tha Selimi, pasi vizituam jetimoren, dhuruam edhe truall për ngritjen e spitalit të Korçës.  Në fytyrën e saj ndriti buzëqeshja. Veç kësaj Selim Mborja furnizoi me ujë të pijshëm një pjesë të qytetit; krijoi shoqërinë e tenisit, mbështeti grupet muzikore etj, etj.

Shpresonte shumë që edhe të afërmit e tij të bënin gjithçka për Korçën. Dhe ata nuk e zhgënjyen: Selaudin Mborja, (kushëri i tij), liceist, përfundoi shkëlqyeshëm studimet për mjekësi në Sorbonë të Francës. Karrierën si mjek e nisi në spitalin Umberti I, në Romë. Me kthimin në atdhe punoi për shumë vjet në qytetin e Shkodrës. Sot njihet si një nga personalitet e mjekësisë shqiptare dhe si një nga themeluesit e spitalit ushtarak. Në vitin 2004 Selaudin Mborja u shpall “Nderi i Qarkut Korçë”; emrin e tij e mban Haki Mborjapoliklinika e qytetit të Korçës, kurse emrin e Haki Mborjes e mban shkolla 9-vjeçare e fshatit Mborje dhe një rrugë e qytetit të Korçës.

Të gjithë fëmijët e Haki Mborjes shkëlqyen në profesionet e tyre. Skënderi studio për mjeksi në Turqi, nuk u kthye më në Shqipëri, u vendos në Australi ku shërbeu edhe si këshulltar i kryeministrit të asaj kohe;  vdiq në Australi. Saliu shërbeu si profesor në liceun e Korçës, kishte studiuar në Francë për shkencat botanike, më pas punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe si sekretar i Kuvendit Popullor. Petriti studioi në Hungari në degën ushqimore, kurse Demir Mborja, një tjetër person i këtij fisi të madh, ndërtonte me shpenzimet e veta çezma në lagjet e Korçës; si çezma më e bukur e tij përmendet “Çezma e zonjës” në lagjen Kasaba.

12

Në fisin e madh të Mborjarve (Venxhave), shkëlqyen edhe gratë.  E para ishte, Fitretja, bashkëshortja e Selim Mborjes, sipas shtypi të kohës: “Fitrete Mborja ishte aktiviste e shoqërive të emancipimit të gruas, kish lindur rreth vitit 1893. Ishte anëtare e shoqërisë “Gruaja Shqiptare dhe ka organizuar festime, ballo mondane në vitet 30. Gjithashtu, çifti  Mborja solli në Korçë për herë të parë një piano me porosi në Paris. Emiri i saj përmendet edhe për bamirësi të ndryshme. Së bashku me Ballkëze Frashërin, Ismete Sali Zavalanin, Drita Elmaz Vilën, Zenepe Dalip Sheqerxhiun, Asije Ymer Fazlliun, Nevrije Leskovikun etj, u bënë bashkëpunëtoret më të mira të princeshës Senije Zogu, kryetare e Grave të Shqipërisë”.

Haki Mborja kishte tri vajaza: Liria studioi për drejtësi, Shpresa për mësuesi, ndërsa Drita shkëlqeu si aktiviste në shoqatën e grave. Reshideja, bija e Mehmet Mborjes (Venxha), u martua me Asim  Mborjen, i cili kur pa se ndërtimi i spitalit të Korçës po vonohej, ndërtoi me shpenzimet e veta një ndërtesë dykatëshe me 28 dhoma, e cila shërbeu si spital nga viti 1930 deri në vitin 1935.

Kurse Ifetja, mbesa e Sali Haki Mborjes u martua me Tosun Selenicën. Shtypi i asaj kohe shkruante:  “Që njëdizaj nisi në Prefekturë zyra e Xhandarmërisë Ndjekse nën komandën e z. kapiten Ferid Frashëri dhe togerit Tosun Selenica.”. (Gazeta e Korçës, 9 tetor 1920).

Kurse Naxhia, bija e Sulejman Mborjes, bashkë me Tefik Mborjen shënuan martesën e parë civile në gjithë prefekturën e Korçës. Shtyi njoftonte: “Dje Bashkia jonë afishoi shpalljen e parë për martesë.  Z. Tefik Mborja, shef i seksionit të administratës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe zonjusha Naxhie Sulejman Mustafa Mborja, kërkuan shpalljen e martesës së tyre e cila do të celebrohet në Bashkinë e Korçës. Z. Tefik Mborja, i cili inauguroi martesën civile në Prefekturën tonë, njihet mirë midis të gjithëve për inteligjencën dhe kulturën e tij. Çiftit të parë që po martohen, i urojme jetë të gjatë e të lumtur!”. (Gazeta e Korçës, 25 prill 1929).

Pra edhe gratë e fisit Mborja (Venxha) ishin një hap më përpara nga gratë e tjera të prefekturës.

13
Me të mbërritur në Stamboll  bashkëshorët Selim dhe Fitrete Mborja u vendosën në shtëpinë e Idaetes, vajza e Sulejmanit, vëllai i Selim Mborjes, që ishte martuar në Stamboll. Atje qëndruan deri në fund të jetës së tyre. Thuhet se në vitet e pleqërisë Fitretja  pati një mall të madh për t’u kthyer në shtëpinë e saj. “Kishim një shtëpi të bukur, – thoshte gjithnjë ajo, – me pemë e lule.”. Mrekullia e hapësirës që rrethonte shtëpinë e tyre i dedikohej Qemal Mborjes, djalit të xhaxhait të Selimit, i cili kishte studiuar për agronomi në Turqi. Ishte një nga specialistët më të mirë të Korçës së bashku me Demir Alizotin. Ai mbolli rreth shtëpisë së Selimit të gjitha llojet e pemëve dhe të gjitha llojet e luleve. Shtëpia dukej si një parajsë që as në përalla nuk e gjeje dot. Fitretja i gëzohej gjithçkaje që ishte e bukur.

Ashtu si gjithë të tjerët edhe Qemali ishte i pasur, kishte aksione në Minierën e Mborjes, kurse biri i tij, Fiqiri Venxha, studioi për Drejtësi. Punoi si kryesekretar i Gjykatës së Korçës; implementoi me sukses, sipas frymës perëndimore, Kodin Civil dhe Tregtar. Megjithatë, edhe pse kaluan vite e vite, as Fitretja dhe as Selim Mborja nuk u kthyen më në qytetin e Korçës. Selim Mborja u nda nga jeta më 3 prill 1952, e shoqja vdiq vite më vonë me brengën për t’u kthyer edhe një herë në shtëpinë e saj, por vila ku banonte ajo, ishte bërë rezidenca e Enver Hoxhës, aty qëndronte ai, sa herë vinte në Korçë për të kaluar pushimet e verës. Megjithatë, përsa i përket bamirësisë ndaj jetimëve dhe të varfërve, bashkëshortja e Selim Mborjes, Fitretja, mund të quhet pa asnjë dyshim, Zonja e Parë e Korçës.

Shënim. Për realizimin e këtij shkrimi u ndihmuam edhe nga kujtimet e të afërmëve të Selim Mborjes.

==========================================================================

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s